Rezultatet e para të analizave toksikologjike në çështjen e vdekjes së këngëtarit grek Giorgos Mazonakis kanë zbuluar praninë e propofolit dhe midazolamit në gjak, dy substanca që përdoren për anestezi dhe qetësim.
Sipas raportimeve të mediave greke, mjeku i dyshuar në këtë çështje u kishte kërkuar këto substanca përmes inteligjencës artificiale. Autoritetet po hetojnë rrethanat në të cilat ato janë siguruar dhe administruar.
Dyshohet se këngëtari ishte sedatuar në një klinikë në Kolonaki, përpara se t’i nënshtrohej një procedure plazmafereze, trajtim gjatë të cilit plazma ndahet dhe filtrohet nga gjaku.
Megjithatë, prania e këtyre substancave nuk përcakton në vetvete shkakun e vdekjes. Rezultatet e analizave do të shqyrtohen në kuadër të hetimeve për të sqaruar se çfarë ka ndodhur.
Ndërkohë, autoritetet kanë përfunduar edhe kontrollin e kasafortës së sekuestruar nga banesa e këngëtarit në Voula. Pas verifikimit, është konstatuar se ajo ishte plotësisht bosh.
Kasaforta ishte marrë nga banesa pas ngjarjes së rëndë në zyrën e mjekut, në rrugën Karneadou, në zonën e Kolonakit, dhe kishte nxitur spekulime lidhur me përmbajtjen e saj.
Avokati i Mazonakis deklaroi se e kishte konsideruar këtë procedurë të panevojshme, por nuk kishte kundërshtuar verifikimin, me qëllim që t’u jepej fund diskutimeve publike.
“E kisha thënë se ishte një akt procedural i panevojshëm, por, pavarësisht kësaj, nuk ishim kundër procedurës që po kryhej për t’i dhënë fund gjithë kësaj parafilologjie që ishte zhvilluar në lidhje me atë që përmbante. U konfirmua se ishte absolutisht bosh”, u shpreh avokati.
Pas kontrollit, autoritetet konfirmuan se në kasafortë nuk kishte as sende dhe as dokumente./pinkbizz.com
