,

Shakira shpërthen në lot gjatë koncertit në Madrid: Kam kaluar kohë të vështira

·

Këngëtarja kolumbiane Shakira ka përjetuar momente të forta emocionale gjatë koncertit të fundit në Madrid, ku përpara mijëra fansave foli hapur për periudhën e vështirë që ka kaluar, shqetësimet për shëndetin e babait të saj dhe problemet në jetën private.


Artistja përmbylli turneun e saj evropian në kryeqytetin spanjoll pas 13 koncerteve, të cilat, sipas raportimeve, u ndoqën nga më shumë se 700 mijë persona gjithsej.

Gjatë performancës së fundit në Macondo Park, ku ishin të pranishëm rreth 55 mijë spektatorë, Shakira e cilësoi këtë periudhë si një nga më të rëndësishmet në karrierën e saj.

“Mendoj se ky muaj ka qenë një nga më të rëndësishmit në karrierën time. Këto koncerte në Madrid janë historike për mua”, u shpreh ajo nga skena.

Megjithatë, pas suksesit të koncerteve, këngëtarja pranoi se kishte kaluar javë të vështira për shkak të problemeve familjare dhe personale.

“Këtë muaj kalova kohë të vështira për shkak të shëndetit të babait tim, por edhe për shkak të problemeve private që ju tashmë i dini”, deklaroi ajo, duke iu referuar edhe zhvillimeve në jetën e saj personale.

Shakira falënderoi fansat për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se dashuria e tyre i kishte dhënë forcë për të vazhduar përpara, pavarësisht vështirësive.

“Falë jush, koha ndalet vërtet dhe unë rifitoj forcën time. Me ju, e shijova këtë përvojë sikur të isha në fillim të karrierës sime dhe nuk do ta harroj kurrë”, tha këngëtarja.

Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte falënderimi publik për ish-partnerin e saj, Antonio de la Rúa, me të cilin Shakira kishte qenë në një lidhje për më shumë se dhjetë vjet.

Sipas raportimeve, ata janë afruar sërish vitet e fundit, këtë herë si miq, ndërsa De la Rúa e ka mbështetur këngëtaren gjatë turneut dhe ka qenë i përfshirë në realizimin e projektit Macondo Park.

“Dua të falënderoj burrin që dikur ishte partneri im dhe tani është miku im i ngushtë. Shpirtin tim binjak. Antonio de la Rúa. Antonio, faleminderit. Faleminderit për miqësinë tënde”, u shpreh ajo para publikut.

Me këtë mesazh emocional, Shakira përmbylli koncertet në Madrid, duke vlerësuar jo vetëm mbështetjen e fansave, por edhe rëndësinë e miqësisë në një periudhë të vështirë të jetës së saj./pinkbizz.com