,

Messi porosit jaht luksoz prej 9 milionë eurosh, synon të përfitojë edhe nga qiraja

·

Lionel Messi ka porositur një jaht luksoz të modelit Ultima 88, të prodhuar nga kompania polake Sunreef Yachts, të cilin planifikon ta shfrytëzojë jo vetëm për pushime familjare, por edhe për biznes.


Jahti me dy trupa, vlera e të cilit sipas mediave gjermane vlerësohet nga 8 deri në 9 milionë euro, po ndërtohet në kantierin e kompanisë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai do të jetë 26.8 metra i gjatë dhe do të ofrojë komoditet të nivelit të lartë.

Mjeti luksoz lundrues do të ketë katër kabina për mysafirët dhe një suitë kryesore për pronarin. Gjithashtu, do të pajiset me dy motorë, secili me nga 1.000 kuaj fuqi, ndërsa shpejtësia maksimale e këtij modeli mund të arrijë deri në 26 nyje.

Një nga veçoritë e tij është zona Ocean Lounge, e cila mundëson qasje të drejtpërdrejtë në ujë për not dhe sporte ujore. Jahti do të ketë edhe një hapësirë të posaçme për ruajtjen e pajisjeve për ski në ujë.

Çmimi përfundimtar dhe data e dorëzimit nuk janë bërë ende publike. Megjithatë, Messi duket se ka plane edhe për ta kthyer investimin në burim të ardhurash.

Sipas mediave gjermane, ylli argjentinas pritet ta përfshijë jahtin në flotën e tij MIM Ocean, e cila operon në Ishujt Balearikë, në bashkëpunim me kompaninë spanjolle Med Cat Yachts. Jahtet dhe katamaranët luksozë të kësaj flote jepen me qira në destinacione të njohura turistike si Majorka, Ibiza dhe Formentera.

Qiraja për një javë, me ekuipazh të përfshirë, kushton nga 78.000 deri në 95.000 euro, në varësi të sezonit. Kjo do t’i mundësonte Messit ta shfrytëzonte jahtin për pushime personale dhe njëkohësisht ta përfshinte në aktivitetet e tij të biznesit.

Në një deklaratë të publikuar nga prodhuesi, Messi ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin me Sunreef Yachts, duke theksuar se ai dhe familja e tij e duan kohën e kaluar në det.

“Është një kënaqësi e madhe për mua të bëhem pjesë e familjes Sunreef. Mua dhe familjes sime gjithmonë na ka pëlqyer të kalojmë kohë në det, sa herë që na është dhënë mundësia. Mezi pres ta provoj Ultima 88 dhe ta shijoj me familjen time”, ka deklaruar futbollisti.

Messi nuk është emri i vetëm i njohur i sportit që lidhet me prodhuesin Sunreef Yachts. Në mesin e sportistëve të tjerë përmenden edhe Robert Lewandowski, Rafael Nadal, Carlos Alcaraz, Fernando Alonso dhe Nico Rosberg./pinkbizz.com