Këngëtarja britanike RAYE ka kritikuar përdorimin e inteligjencës artificiale për regjistrime të rreme, pasi 1.8 milionë persona u regjistruan për të siguruar një biletë në koncertin e saj të veçantë në Royal Albert Hall të Londrës, ku janë në dispozicion vetëm 5,000 vende.
Koncerti, i planifikuar për 23 tetor, do të sjellë një interpretim të veçantë të albumit të saj “This Music May Contain Hope”, të shoqëruar nga Heritage Orchestra dhe Flames Collective.
Sipas këngëtares, procesi i regjistrimit u mbingarkua nga rishitësit e biletave, të cilët përdorën botë me inteligjencë artificiale për të krijuar qindra mijëra regjistrime të rreme.
Për të parandaluar abuzimet, RAYE dhe ekipi i saj kanë vendosur të shqyrtojnë manualisht listën e aplikuesve, në mënyrë që shitja paraprake t’u mundësohet fansave të vërtetë dhe biletat të blihen me çmimin zyrtar.
Artistja pranoi se kjo përvojë i ka hapur sytë ndaj sfidave të reja në shitjen e biletave, duke theksuar se ajo dhe ekipi i saj do të shqyrtojnë mënyra për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Ndërkohë, RAYE ka folur edhe për presionin e madh që i ka shkaktuar puna gjatë viteve të fundit. Pas publikimit të albumit të ri dhe një periudhe intensive turnesh, këngëtarja tha se dëshiron të gjejë më shumë ekuilibër mes angazhimeve profesionale dhe pushimit./pinkbizz.com
