Regjisori Martin McDonagh rikthehet me “Wild Horse Nine”, një komedi të zezë që ndërthur humorin e hidhur, politikën dhe reflektimin mbi jetën e dhunshme. Në qendër të filmit janë dy agjentë të CIA-s, Chris dhe Lee, të interpretuar nga John Malkovich dhe Sam Rockwell, të cilët udhëtojnë drejt Ishullit të Pashkëve në vitin 1973, transmeton PinkBizz.com.
Chris është një agjent me një të kaluar të gjatë në operacionet e dhunshme të qeverisë amerikane. I diagnostikuar me kancer, ai po përballet me fundin e jetës dhe nis të flasë gjithnjë e më hapur për sekretet që ka mbajtur ndër vite. Kjo e vë në vështirësi partnerin e tij, Lee, i cili nuk arrin më të dallojë gjithmonë nëse fjalët e Chris janë të vërteta apo thjesht mendime të çrregullta.
Ngjarja zhvillohet në një periudhë të tensionuar për Kilin. Të dy agjentët janë të vetëdijshëm për grushtin e shtetit që pritet të ndodhë më 11 shtator, kur gjenerali Augusto Pinochet do të marrë pushtetin me dhunë, duke rrëzuar presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Salvador Allende.
Gjatë udhëtimit, Chris u zbulon dy të rejave që mbështesin Allenden se ai dhe Lee janë pjesë e CIA-s dhe se ndodhen në Kili për të destabilizuar qeverinë. Ndërkohë, eprori i tyre, MJ, i luajtur nga Steve Buscemi, shqetësohet për planet e Chris për të shkruar kujtimet e tij. Ai i kërkon Lee-t të zbulojë se çfarë përmban dorëshkrimi, veçanërisht nëse aty përmendet ndonjë informacion për vrasjen e presidentit John F. Kennedy në Dallas, në vitin 1963.
Filmi ndërton një atmosferë dyshimi dhe tensioni përmes bisedave të dy personazheve, të cilat fillimisht duken si debate të zakonshme mes kolegësh, por gradualisht zbulojnë një marrëdhënie më të ndërlikuar. Lee po përballet jo vetëm me humbjen e mundshme të mikut të tij, por edhe me ndërgjegjësimin për rolin që ka luajtur në një sistem të mbushur me korrupsion dhe mungesë morali.
Përveç Malkovich dhe Rockwell, në film interpretojnë edhe Parker Posey dhe Steve Buscemi. Loja e aktorëve është një nga elementet që i jep forcë historisë. Malkovich e portretizon Chris-in si një njeri që lëviz mes kujtimeve, mendimeve të çuditshme dhe momenteve të kthjellëta, ndërsa Rockwell sjell në ekran konfliktin e brendshëm të Lee-t.
Peizazhet e Ishullit të Pashkëve dhe muzika krijojnë kontrast me historinë e errët të personazheve. Në një botë ku dhuna politike dhe cinizmi duket se kanë depërtuar kudo, filmi gjen momente bukurie te natyra dhe rinia.
“Wild Horse Nine” është një tjetër vepër që mban gjurmët karakteristike të Martin McDonagh, me dialogë të mprehtë, personazhe të papërsosur dhe humor të zi. Filmi zgjat 118 minuta dhe është vlerësuar me tri yje nga katër në recensionin e publikuar nga AP./PinkBizz.com
