Michael Douglas zbulon si është Jack Nicholson: “Është mirë, por është tërhequr nga jeta publike”

·

Aktori i njohur Michael Douglas ka ndarë një informacion të rrallë për mikun e tij, legjendën e Hollywood-it Jack Nicholson, duke konfirmuar se ai është mirë dhe po shijon jetën larg vëmendjes publike, transmeton PinkBizz.com.


Gjatë një paraqitjeje në Swansea, ku po promovonte kujtimet e tij të reja, Douglas u pyet për Nicholsonin dhe marrëdhënien mes tyre. Ai tregoi se do të kishte dëshiruar të luante përkrah tij në një film, por kjo nuk ndodhi kurrë.

“Do të kisha dashur të aktroja me Jack-un. Ai nuk punon më. Është mirë. Është zhdukur nga vëmendja publike, këtë e di”, u shpreh Douglas.

Ai shtoi se vazhdon ta takojë mikun e tij dhe se nuk ka arsye për shqetësim. Sipas tij, Nicholson kalon kohë pranë shtëpisë së tij dhe shëtit i qetë, larg angazhimeve që dikur e mbanin në qendër të industrisë së filmit.

Nicholson, 89 vjeç, nuk ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga aktrimi, por nuk është shfaqur në një film që nga viti 2010, kur luajti në “How Do You Know”. Prej vitesh, ai është parë rrallë në publik.

Në prill, vajza e tij, Lorraine, publikoi një fotografi të rrallë ku aktori shfaqej i buzëqeshur në shoqërinë e familjarëve dhe miqve, mes tyre edhe këngëtarja Joni Mitchell.

Jack Nicholson konsiderohet një nga emrat më të mëdhenj të kinematografisë botërore. Gjatë karrierës së tij ka fituar tri çmime Oscar dhe është bërë i njohur për role në filma si “Chinatown”, “Batman”, “A Few Good Men” dhe “As Good as It Gets”.

Douglas dhe Nicholson kanë një lidhje të veçantë edhe përmes filmit “One Flew Over the Cuckoo’s Nest” të vitit 1975. Douglas ishte producent i këtij filmi, në të cilin Nicholson interpretoi rolin kryesor dhe fitoi çmimin e tij të parë Oscar për aktorin më të mirë./PinkBizz.com